
Humbje të rënda për Laburistët në Britani në zgjedhjet lokale, Starmer: Nuk do të tërhiqem
Kryeministri britanik Keir Starmer është zotuar se do të vazhdojë betejën për të sjellë “ndryshim” në Britani, pasi Partia Laburiste pësoi humbje të konsiderueshme në zgjedhjet lokale.
Vetëm pak më pak se dy vite pasi fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare, Starmer u përball me një reagim të fortë nga votuesit, të cilët ndëshkuan qeverinë laburiste në disa prej bastioneve tradicionale të partisë në ish-zonat industriale të Anglisë qendrore dhe veriore.
Fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve rezultoi partia populiste Reform UK, e udhëhequr nga Nigel Farage. Formacioni politik arriti të sigurojë më shumë se 350 vende në këshillat vendorë në Angli dhe pritet të forcojë ndjeshëm rolin e opozitës edhe në Skoci dhe Uells.
Rezultatet e para tregojnë një fragmentarizim të sistemit tradicional dypartiak britanik, me analistët që e cilësojnë situatën si një nga transformimet më të mëdha politike në Britani gjatë shekullit të fundit.
Laburistët dhe Konservatorët, dikur forcat dominuese politike, po humbin terren përballë Reform UK, Partisë së Gjelbër dhe forcave nacionaliste në Skoci e Uells.
Pavarësisht rezultatit negativ, Starmer insistoi se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i vendit.
“Vendosmëria ime nuk është dobësuar. Nuk do të tërhiqem”, deklaroi ai gjatë një vizite në Ealing, në perëndim të Londrës, ku Laburistët arritën të ruajnë kontrollin e këshillit lokal.
Sipas kryeministrit britanik, votuesit janë të pakënaqur më shumë me ritmin e ndryshimeve sesa me vetë lidershipin e tij. Ai premtoi një tjetër riorganizim të qeverisë dhe prezantimin e masave të reja për të përballuar krizën e kostos së jetesës, e cila është rënduar nga konfliktet në Ukrainë dhe Iran.
Megjithatë, humbjet e Partisë Laburiste në zgjedhjet për 136 këshilla vendorë në Angli, si dhe në parlamentet autonome të Skocisë dhe Uellsit, konsiderohen si testi më serioz politik për Starmer përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2029. /rtsh/
