“Kosova, shtet i xhudos me zemër të madhe”
Federata e Xhudos së Kosovës, ndihet krenar me organizimin e Kampionatit Evropian të Hapur të Xhudos, i cili u mbajt fundjavën që e lamë prapa në kryeqytetin e Kosovës.
Adhurues të këtij sporti për herë të parë patën rastin që nga afër të shohin yjet e xhudos kosovar të cilët shkëlqyen në këtë event të madh sportiv, i cili për herë të parë u zhvillua në Prishtinë.
FXHK përmes një njoftimi, është shprehur e lumtur me organizimin e këtij Evropiani, event ky që është lavdëruar edhe nga Federata e Xhudos Evropiane.
“Salla e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ishte e mbushur në çdo anë me qytetarët tanë e me energjinë e tyre fantastike! Ju jeni ata që na keni mbështetur ndër vite, duke na dhënë motivim për të punuar çdo ditë drejt fitoreve. Është një kënaqësi e veçantë që kemi sjellë bukurinë e sportit të xhudos në vendin tonë dhe ju kemi mundësuar të përjetoni emocionet dhe adrenalinën e kampionëve nga afër! Faleminderit secilit e secilës, që erdhët e na nderuat me mbështetjen tuaj!”, thuhet në njoftimin e FXHK-së.
Kujtojmë se Akil Gjakova në këtë Evropian fitojë medaljen e artë, Dardan Cena, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi rrëmbyen medalje të bronztë duke treguar performancë të lartë.