Shorti hidhëron Lazion: Bayerni ekspert në Champions, më keq se kaq…
Edhe pse në Champions League nuk ka rivalë të lehtë, aq më tepër nëse e ke mbyllur në vendin e dytë, shorti për Lazion ishte i tmerrshëm.
Skuadra e Maurizio Sarrit do të përballet me Bayern Munich në raundin e 1/8-ve të kompeticionit më të rëndësishëm për klube.
Sfida e parë do të luhet në “Olimpico” (13 shkurt), teksa skuadra çerekfinaliste do të mësohet në përballjen në tokën gjermane në “Allianz Arena” (5 mars).
Në lidhje me shortin, Enrico Lotito, drejtori i përgjithshëm i sektorit të të rinjve, njëkohësisht edhe djali i presidentit Claudio Lotito, u shpreh:
“Bayern Munich është një nga skuadrat më të këqija që mund të na binte. Gjermanët janë një kundërshtar shumë i vështirë. Ata janë ekspertë të Championsit. Gjithsesi, ne jemi këtu me meritë dhe do të luftojmë deri në fund për të thënë tonën. Shpresojmë të vijojmë të paraqitemi mirë”, u shpreh drejtuesi i klubit italian.