Hasani: Mezi pres të luaj përpara tifozëvë të Rapidit, çfarë më tha Rrahmani
Florent Hasani e mbylli me Superioren. Golashënuesi më i mirë deri në këtë fazë të sezonit, me 10 gola, u transferua nga Tirana te Rapidi i Bukureshtit siç njoftoi SuperSport gjatë ditës së shtunë.
Sulmuesi nga Vushtrria, i cili aventurën me rekordmenët e futbollit shqiptar e mbylli me 29 gola të realizuar, ka folur për sajtin e klubit rumun. Ku ndër të tjera tha:
“Përshëndetje për të gjithë tifozët e Rapidit, faleminderit për mikpritjen. Që kur nisa bisedimet me këtë klub, unë doja ta mbyllja sa më mirë në Shqipëri dhe të bëhesha futbollist i Rapidit. Mezi po pres të vij në Bukuresht, të luaj përpara tifozëve të rinj dhe të realizojmë objektivat e klubit. Di diçka për kampionatin rumun dhe Rapidin. Disa miq më kanë folur gjëra të mira për Rapidin. Gjithashtu kam biseduar me Albionin (Rrahmani), i cili më foli për klubin, njerëzit këtu dhe tifozët e mrekullueshëm.
Objektivat e mi? Kur je futbollist profesionist, duhet të fokusohesh fillimisht te objektivat e ekipit, të luftosh për to, të japësh gjithçka dhe më pas të mendosh për qëllimet e tua personale.
Mendoj se gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi në krye të tabelës. Tifozët të vazhdojnë kështu, së bashku të bëjmë një punë të shkëlqyer. Respekt dhe dashuri për tifozët”, përfundoi Hasani, i cili do të ketë shok skuadre Albion Rrahmanin, pjesë e përfaqësueses së Kosovës.
Rapidi renditet në vendin e katërt pas javës së 20-të me 32 pikë. Nëntë më pak se FCSB e vendit të parë.