Fetoshi: Dënimi i terroristëve zbulon fytyrën e Listës Serbe

Fetoshi: Dënimi i terroristëve zbulon fytyrën e Listës Serbe

Drejtuesi i Institutit Octopus, Arben Fetoshi tha se reagimet nga autoritetet serbe pas dënimit të tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Bansjkë, kanë bërë që të shpërfaqet “fytyra e maskuar e tyre”.

“Lista Serbe e zbuloi maskën përmes reagimit kundër dënimit, duke vërtetuar vazhdimin e qëllimeve të ish-shefit të saj të strehuar nga Aleksandër Vuçiqi. Pretendimet për ‘mungesë provash’, ‘jotransparencë’ e ‘gjykim të padrejtë’, s’janë fakte, prandaj janë pjesë e komunikimit strategjik të Serbisë që lufton për tjetërsim e shpërqendrim, duke vërtetuar apologjinë e krimit si instrument politik dhe duke kërcënuar paqen e demokracinë në Ballkan. Kosova sot i dha përgjigje institucionale terroristëve, Lista Serbe u ‘tradhtua’ nga emocionet për Radoiçiqin, ndërsa Perëndimi tashmë e ka të qartë fytyrën e maskuar të Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook, raporton rtk.

Fetoshi tha se as rrjeti i spiunazhit, as metodat financiare dhe as teknikat për manipulim ndërkombëtar (gaslighting) nuk e ‘mjegulluan’ dot të vërtetën.

Më tej profesori universitar tha se sulmi në Banjskë ishte operacion ushtarak për destabilizim e rrënim të Kosovës, jo “pasojë e një revolte lokale ndaj represionit të Prishtinës”, siç kanë deklaruar pala serbe.

“Aktgjykimi i Themelores në Prishtinë për tre nga të akuzuarit e sulmit terrorist në Banjskë (2023), dy me burgim të përjetshëm (Blagoje Spasojeviq e Vladimir Toliq) dhe një me 30 vjet burgim (Dushan Maksimoviq), ndonëse ende jo i plotë për shkak të strehimit të 42 të tjerëve bashkë me kryeterroristin Milan Radoiçiq në Serbi, është MESAZH shtetëror për planet që mësyjnë rendin kushtetues, është PROVË e përkushtimit ndaj lirisë dhe demokracisë, por edhe ‘shpagim minimal’ për gjakun e heroit Afrim Bunjaku”, deklaroi ai.

Share This