
Val Kilmer rikthehet në ekran përmes IA-së
Imazhet e para të yllit të ndjerë amerikan të filmit, Val Kilmer, i rikthyer në ekranin e madh falë inteligjencës artificiale, u prezantuan në Las Vegas, në një zhvillim që pritet të ndezë debat mbi rolin e teknologjisë në Hollywood.
Një version i ri, digjital i aktorit shfaqet në trailerin e filmit “As deep as the grave”, duke i thënë një personazhi tjetër “mos ki frikë nga të vdekurit dhe mos ki frikë nga unë”.
Pamjet u prezantuan në CinemaCon, konferenca vjetore ku studiot prezantojnë projektet e ardhshme për pronarët e kinemave.
Vëllezërit Coerte dhe John Voorhees, regjisori dhe producenti i filmit, thanë se synojnë ta publikojnë dramën historike deri në fund të vitit.
Kilmer, i njohur për rolet e tij në “Top Gun”, “Batman Forever” dhe “The Doors”, ndërroi jetë nga pneumonia në prill 2025, në moshën 65-vjeçare.
Projekti tërhoqi vëmendje muajin e kaluar kur kineastët zbuluan se kishin rikrijuar aktorin përmes IA, me miratimin e familjes së tij.
Përdorimi i inteligjencës artificiale mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në industrinë e argëtimit dhe ishte në qendër të grevave të vitit 2023, të cilat paralizuan Hollywood-in, ndërsa aktorët dhe skenaristët paralajmëruan se teknologjia e pakontrolluar rrezikon vendet e tyre të punës.
Filmi ndjek arkeologët pionierë Ann dhe Earl Morris,ky i fundit konsiderohet nga disa si frymëzim për personazhin imagjinar Indiana Jones dhe fillimisht kishte përzgjedhur Kilmer për rolin e një prifti katolik.
Problemet shëndetësore e detyruan aktorin, i cili po luftonte me kancerin, të tërhiqej nga roli.
Por, pas vonesave të shkaktuara nga pandemia, vëllezërit Voorhees rikthyen projektin ndërsa teknologjia e IA-s kishte avancuar.
Ata e “rikrijuan” Kilmer në mënyrë digjitale në rolin e atë Fintan, një misionar katolik i hershëm që vuante nga tuberkulozi dhe që, si shumë të tjerë në atë kohë, udhëtoi drejt jugperëndimit të SHBA-së për klimën e thatë dhe themeloi misione në rajonin e Four Corners.
“Ishte një periudhë shumë e errët”, tha Coerte, duke shtuar se personazhi ishte thelbësor për historinë.
Kineastët thanë se kontaktuan fëmijët e Kilmer, Mercedes dhe Jack, pasi arritën në përfundimin se roli mund të realizohej ende.
Familja dha miratimin dhe vuri në dispozicion arkivat video të aktorit, të cilat u përdorën për ta rikrijuar atë në faza të ndryshme të jetës.
Sipas tyre, Val Kilmer kishte biseduar me fëmijët për trashëgiminë e tij dhe për atë që dëshironte ende të arrinte si aktor para se të ndërronte jetë.
“Ishim shumë të lumtur që ata ishin entuziastë dhe mbështetës të idesë”, përfundoi Coerte. /atsh/


