Daja pas fitores se Ballkanit: Morëm atë që deshëm
Trajneri i FC Ballkanit, Ilir Daja është shprehur i kënaqur me fitoren dhe paraqitjen e të besuarve të tij ndaj Lincoln Red Imps.
Kampioni i Kosovës sonte në “Fadil Vokrri” mundën skuadrën nga Gjibraltari në ndeshjen e parë të rrethit të tretë në Ligën e Konferencës.
Tekniku shqiptar pas ndeshjes tha se skuadra e tij mori atë që deshi. Ai e pranon se është vështirë të zëvendësohen Emurllahu i lënduar dhe Rrahmani, ky i fundit tashmë i është bashkuar skuadrës rumune, Rapid.
“Ne morëm atë që deshëm. Kemi ndryshime në mënyrën e të luajturit, teksa ishte e vështirë të zëvendësonim Rrahmanin dhe Emurllahun. Kemi pasur 6-7 lojtarë të formacionit me temperaturë dhe viruse. Gjendja fizike nuk ishte më e mira. Kemi bërë një gjysmë hapi drejt kualifikimit me rezultatin 2-0”, tha Daja.
Ballkani me këtë fitore ka bërë hap të madh në garën për të kaluar në fazën e play-off-it në Ligën e Konferencës.
Ndeshja e kthimit mes Ballkanit dhe Lincoln Red Imps luhet pas një javë në Gjibraltar.