“Duan të na shkatërrojnë nga jashtë”, sulmuesi i Barçës lëshon kushtrimin
Barcelona po vuan në këtë periudhë. Kampionët e Spanjës humbën 2-4 në fundjavë kundër Gironas në kampionat, teksa të mërkurën në mbrëmje erdhi disfata 3-2 përballë belgëve të Antëerpit në Champions League.
Gjithsesi, një humbje pa rëndësi, pasi katalanasit kishin siguruar kualifikimin si vend i parë. Ndryshe është situata në La Liga, aty ku djemtë e Xavit kanë mbetur 7 pikë larg Gironës kryesuese.
Në lidhje me situatën e vështirë të skuadrës së tij ka folur Ferran Torres, i cili deklaron: “Duhet të korrigjojmë disa gjëra, e kemi të qartë. Por janë disa dinamika që ndodhin gjatë një sezoni. Jemi shumë të bashkuar dhe jemi me trajnerin, ai ka mbështetjen tonë. Sigurisht që jemi të zhgënjyer, por tani duhet të përqendrohemi te kampionati. E dimë zhurmën e madhe që bëhet nga jashtë ndaj Barcelonës që po përpiqet të na shkatërrojë, por duhet të bashkëjetojmë me të”, theksoi sulmuesi 23-vjeçar.