Isco zbulon objektivat: Dua Europa League-n dhe Europianin me Spanjën
Real Betis-Rangers është një prej sfida më të rëndësishme të javës së fundit në fazën e grupeve të UEFA Europa League, me skuadrat që do të diskutojnë në 90 minutat e fundit kualifikimin, por edhe vendin e parë në Grupin C.
Spanjollët kryesojnë me 9 pikë, një më shumë se skocezët, teksa në konferencën e shtypit në prag të ndeshjes, krah trajnerit Pellegrini u shfaq edhe Isco, me spanjollin që mori vëmendjen maksimale edhe për çështjen e rinovimit.
“Na pret një ndeshje e fortë dhe shumë e vështirë, por ne jemi gati për këtë takim. Prezantohemi pas barazimit me Real Madrid dhe grupi ka harmoninë e duhur, teksa ndaj Rangers ne duam vetëm tri pikët dhe vendin e parë të grupit. Do të luajmë përpara publikut tonë dhe kjo është diçka pozitive, ndaj duhet të bëjmë maksimumin.
Rinovimi im? Jemi në rrugën e duhur, dëshira ime është që të vazhdoj me Real Betis sepse ndjehem vërtet mirë, i vlerësuar dhe i lumtur. Momentalisht kemi objektiva të tjera, që nisin nga sfida me Rangers, për rinovimin tim do të jeni gjithmonë të informuar, nuk kam asgjë për të fshehur” – tha fillimisht Isco.
Në fund, 31-vjeçari u pyet edhe mbi mundësinë e triumfit me Betis në Europa League, por edhe mbi mundësinë e rikthimit të tij te Spanja në prag të EURO 2024.
“Triumfi në Europa League do të ishte diçka shumë e bukur, por ne e dimë se është shumë e vështirë. Unë jam këtu sepse ky klub ka ambicie dhe natyrisht ne të gjithë po punojmë për të shkuar sa më larg, pse jo edhe të fitojmë në fund. Rikthimi te Spanja? Çdo lojtar ëndërron të luajë për vendin e tij. Unë po mundohem të bëj më të mirën në fushën e lojës, por pastaj është trajneri ai cili vendos. Personalisht e di që në pozicionin tim ka shumë konkurrencë, por nuk e humbas shpresën, do punoj shumë dhe do bëj maksimumin dhe nëse vjen ftesa atëherë do të jem gati të bëj gjithçka për Spanjën ” – përfundoi ish-lojtari i Real Madrid që numëron 38 takime dhe 12 gola me përfaqësuesen spanjolle, por mungon prej vitit 2019. /SS/