Erik ten Hag rrezikon shkarkimin, disa kandidatë synojnë stolin e Manchester United
Që kur është larguar nga drejtimi i skuadrës Sër Alex Ferguson, Manchester United nuk njihet më.
“Djajtë e kuq” po kalojnë krizën e radhës së rezultateve që nga viti 2014 dhe deri më tani. Të shtunën skuadra u turpërua në “Old Trafford” nga Bournemouth, ndërsa mbrëmjen e djeshme erdhi edhe eliminimi nga Europa pas humbjes shtëpiake përballë Bayernit të Mynihut.
Ai që rrezikon më shumë në këto memente është trajneri Erik ten Hag, që sipas mediave angleze pritet të humbasë vendin e tij të punës. Në orët e fundit kanë filluar të qarkullojnë emrat e zëvendësuesve me teknikun Julen Lopetegui, që duket si kandidatura më pranë stolit të Manchester United në rast shkarkimi të holandezit. Graham Potter dhe Zinedine Zidane janë dy alternativat e tjera për të marrë drejtimin e “djajve të kuq”.
Ndonëse fitoi çmimin “Trajneri i Muajit nëntor” pak ditë më parë, pozitat e teknikut Erik ten Hag janë më të vështira se kurrë më parë për shkak të rezultateve të dobëta dhe sidomos eliminimit nga Kupat e Europës.
Ndërkohë prova e radhës këtë të dielë në kampionat është në “Anfield” përballë rivalëve të betuar të Liverpool.