Ndeshja e Kupës i shërben Ronaldos për golin e 50, synon të barazojë rekordin e Messit
Cristiano Ronaldo nuk ndalet me rekordet nga Arabia Saudite.
Ylli portugez ishte protagonist me Al Nassr në ndeshjen e Saudi King Cup teksa shënoi golin e katërt në fitoren e skuadrës së tij me rezultatin 5-2 ndaj Al Shabab.
Për sulmuesin ky gol përkoi me realizimin e 50 në vitin 2023, një statistikë të cilën 38-vjeçari e regjistron për të tetën herë në karrierën e tij. Rekordi i golave në një vit kalendarik i takon Lionel Messit që në vitin 2012 shënoi 91 gola me Barcelonën dhe Argjentinën.
Ndërkohë, Ronaldo vitin e tij më të mirë në aspektin realizativ e pati në vitin 2013 kur shënoi 69 gola për Realin dhe Portugalinë.
Rivaliteti i tij me Messin në këtë pikë vazhdon, pasi argjentinasi është ai i cili ia ka dalë që gjatë karrierës së tij të realizojë nëntë herë mbi 50 gola përgjatë një viti, me Ronaldon që tashmë ia del ta regjistrojë këtë statistikë për të tetën herë gjatë karrierës së tij.
Megjithatë, me formën që ka treguar portugezi dhe me ambicien maksimale që e karakterizon, me siguri që në vitin 2024 do të synojë që ta barazojë në këtë statistikë rivalin e tij të përjetshëm.
Lojtarët që kanë shënuar më shumë 50 gola gjatë një viti kalendarik:
Lionel Messi- 9 herë
Cristiano Ronaldo- 8 herë
Gerd Muller- 5 herë
Pele- 5 herë
Josef Bican- 4 herë