
Trump: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, mund të përdorim forcën
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po rriten ndjeshëm, ndërsa Britania e Madhe ka mbyllur ambasadën e saj në Teheran dhe vendet perëndimore po evakuojnë stafin diplomatik nga rajoni.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “mund t’i duhet të përdorë forcë” kundër Iranit, duke theksuar se nuk është i kënaqur me ecurinë e negociatave.
Ai u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se bisedimet nuk kanë sjellë përparim, por se një raund i ri do të zhvillohet të premten. “Ata nuk mund të kenë armë bërthamore.
Nuk dua të përdor forcë, por ndonjëherë duhet,” tha Trump, duke lënë të kuptohet se çdo sulm mund të përfshijë edhe ndryshim regjimi në Iran.
Ministria e Jashtme britanike ka paralajmëruar gjithashtu kundër udhëtimit në Izrael, duke e konsideruar atë një shënjestër të mundshme në rast se Irani nis sulme hakmarrëse. Evakuime të stafit diplomatik janë raportuar edhe nga vende të tjera perëndimore.
Ndërkohë, prania ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme është rritur në nivele që nuk janë parë prej dy dekadash.
Në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit janë fotografuar dhjetëra cisterna furnizimi me karburant pranë avionëve civilë, ndërsa avionë luftarakë dhe avionë për furnizim ajror janë dislokuar në rajon.
Dy grupe sulmuese të Marinës amerikane janë pozicionuar pranë zonës së konfliktit: aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford po shkon drejt bregdetit të Izraelit, ndërsa USS Abraham Lincoln ndodhet tashmë pranë Iranit. /rtsh/


