Nevoja për një sulmues, Milani sakrifikon të preferuarin e Piolit
Krunic si monedhë shkëmbimi për Milanin. Verën e kaluar Pioli vendosi që Rade të qëndronte pavarësisht ofertave nga Fenerbahce, por tani situata ka ndryshuar krejtësisht.
Pas dëmtimit boshnjaku ka patur gjithnjë e me pak minuta, dhe duke i shtuar këtu rendimentin e mirë të Musah apo Adli, si dhe rikthimin e Bennacer, është e lehtë të kuptosh se minutazhi do i pakësohet edhe më shumë.
Në këtë mënyrë te Milani kanë vendosur që ta shesin 30-vjeçarin në sesionin dimëror në Turqi. Për të financuar hedhjen në sulm për një qendërsulmues.
Sipas GDS, Fenerbahce është gati të trokasë sërish në dyert e Milanit për Krunic. Klubi turk, ku luan dhe bashkatdhetari i tij Dzeko, ka që tani një akord me mesfushorin boshnjak, për një kontratë prej 3 milionë eurosh neto në sezon. Dyfishin e asaj që fiton momentalisht.
Ndërkohë që pritet t’i ofrojë Milanit të njëjtën ofertë prej 5 milionë eurosh që u refuzua nga kuqezinjtë në verë. Klubi italian shpreson të përfitojë diku afër 10 milionëve, por me shumë mundësi mund të pranojë edhe një ofertë prej 6-7 milionë eurosh.
Para këto që do të investoheshin për të arritur te një sulmues që mund t’i jepte një shtysë Milanit në garën për titullin kampion. Emri i preferuar është ai i 24-vjecarit David, por kërkesa prej 40 milionë eurosh e Lille për kartonin e tij duket një pengesë e pakalueshme.
Ndaj në shtëpinë e kuqezinjve po rriten ndjeshëm kuotat e Serhou Guirassy, sulmuesit 28-vjeçar të Stuttgartit, që në Bundesligë për sa i përket numrave vjen direkt pas Harry Kane. Dhe afrikani ka një kontratë me klauzolë largimi prej 17 milionë eurosh.
Milani po mendon ta paguajë, duke djegur menjëherë konkurrencën për verën e ardhshme. Pasi Guirassy (18 gola këtë sezon me surprizën Suttgart) ndiqet dhe pëlqehet nga shumë klube. /SS/