Ish-“bomberi” i Inter i mahnitur nga Lautaro: Ai është i vetmi që mund të thyejë rekordin tim
Padyshim është një nga sulmuesit më të mirë të momentit.
Bëhet fjalë për “bomberin” dhe kapitenin e “Zikaltërve” të Inter, Lautaro Martinez, i cili ka shkëlqyer deri në këtë pikë të sezonit, teksa ka arritur të shënojë plot 15 gola e të dhurojë 3 asistime të tjerë, në 19 sfidat e para të sezonit, mes Serie A e UEFA Champions League.
Shifra të tilla kanë impresionuar edhe një prej sulmuesve më “legjendar” të nënkampionëve të Evropës, Alessandro Altobelli, i cili është shprehur se argjentinasi mund ta kalojë atë në renditjen e golashënuesve më të mirë të historisë “zikaltër”, me ish-“bomberin”, që numëron plot 209 gola, me fanellën e Inter, ndërsa “El Toro” është ndalur në shifrën e 107 të tillave.
“Lautaro është i vetmi që mund të më kalojë. Është simbol i klubit dhe duket që është ndryshe nga të tjerët, për atë që do të bëjë nëse rinovon. Mendoj që është në pikun e karrierës dhe do të vazhdojë në këtë moment për shumë gjatë. Me një trofe tjetër ndërkombëtar mund të fitojë ‘Topin e Artë’”,- u shpreh ish-sulmuesi italian.