Te Slaven Belupo pranojnë se Arbër Hoxha mund t’i bashkohet Dinamos se Zagrebit
Transferimi i Arbër Hoxhës te Dinamo e Zagrebit në afatin kalimtar të janarit po fuqizohet gjithnjë e më shumë, pasi edhe te Slaven Belupo kanë pranuar se gjasat janë të mëdha që sulmuesi i krahut të largohet nga ekipi.
Ditët e fundit mediumet kroate kanë raportuar për arritjen e marrëveshjes mes dy klubeve për Hoxhën, por kryetari i Slaven Belupos ka thënë se asgjë nuk ka përfunduar në lidhje me këtë çështje dhe se negociatat po vazhdojnë.
Kryetari i Slaven Belupos, Robert Markuli, i ka dhënë përparësi Dinamos për transferimin e Hoxhës, por ai ka pranuar se për 25-vjeçarin interesim të madh ka edhe prej skuadrave jashtë Kroacisë.
Sipas tij, nëse Slaven Belupo merr atë që po e kërkon për Hoxhën, atëherë largimi i tij në janar është i pashmangshëm.
“Ajo që mund të them për momentin është se Dinamo ka treguar interesim të madh për Hoxhën, por ende nuk e kemi arritur marrëveshjen. Kemi oferta konkrete edhe nga Evropa dhe do të shohim pasi po shqyrtojmë të gjitha”, ka thënë Markulin për sajtin kroat “Index.hr”.
“Për Hoxhën duam të marrim sa më shumë që të jetë e mundur, por me Dinamon kemi raporte të mira dhe për këtë arsye jemi të gatshëm të negociojmë për opsione të tjera. Nëse marrim atë që po kërkojmë, Hoxha largohet këtë dimër nga klubi ynë”.
Në kontaktet e para mes dy klubeve, Slaven Belupo ka njoftuar Dinamon se për kartonin e Hoxhës kërkon të paktën tre milionë euro, çmim ky i lartë për ekipin nga Zagrebi.
Mirëpo, me kalimin e kohës dhe negociatat e vazhdueshme, çmimi për Hoxhën është zbritur në një milion euro plus huazimin e një lojtari të Dinamos. Vetë Hoxha po dëshiron t’i bashkohet Dinamos dhe ka njoftuar Slaven Belupon për realizimin e këtij transferimi, me gjithë ofertat e tjera, përfshirë edhe atë të Hajdukut të Splitit.
Hoxha këtë edicion ka treguar paraqitje të mira te Slaven Belupo dhe trajneri i Dinamos, Sergej Jakiroviq po insiston në transferimin e tij. Ai po e vlerëson Hoxhën si njërin prej lojtarëve më të mirë të kampionatit në pozitën e tij dhe po e sheh si zëvendësim ideal për Luka Stojkoviqin, i cili shkaku i operimit të ligamenteve të gjurit nuk pritet të jetë fare i gatshëm për këtë edicion. Ai është pjesë e Slaven Belupos prej vitit të shkuar kur iu bashkua nga Lokomotiva e Zagrebit, ekip që e transferoi në vitin 2021 nga Ballkani.
Deri më tani, Hoxha ka regjistruar 63 paraqitje për Slaven Belupon, ku ka shënuar 11 gola dhe ka bërë shtatë asistime.
Ai ka kontratë me Slaven Belupon deri në vitin 2027, ndërsa këtë edicion ka katër gola e tri asistime në 18 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.