Pas 115 vitesh histori, Santos bie nga elita e futbollit brazilian
Një nga klubet më të mëdha braziliane, Santos zyrtarisht ka rënë në ligën e dytë të Brazilit.
Santos, klub në të cilin kanë milituar edhe yjet e mëdhenj si Pele e Neymar, për herë të parë në historinë e tyre, nuk do të jenë pjesë e elitës së futbollit brazilian.
Humbja ndaj Fortalezas me rezultatin 1-2 rezultoi fatale për bardhezinjtë, të cilët pas 115 vitesh histori, sezonin e ardhshëm do të jenë pjesë e Ligës B.
Duke parë situatën e vështirë të skuadrës, tifozët e Santosit tentuan të hynin në fushë përpara fërshëllimës së arbitrit. Në këtë mënyrë arbitri kryesori u detyrua të mbyllte ndeshjen më herët, duke i lënë dëshpërimin tifozëve dhe lojtarëve të Santosit, ndërsa ata të Fortaleza-s vrapuan menjëherë për në dhomat e zhveshjes.
Sipas medieve të huaja, në përpjekje për t’i mbrojtur lojtarët e Santosit, ushtria u detyrua të hyjë në fushë për të evituar të keqen më të mundshme. Pak nga pak stadium u boshatisu, por jo para se të hidheshin objekte ndaj lojtarëve të Santosit. Jashtë stadiumit situata ishte edhe më e rëndë. Përleshje me forcat e rendit, djegje makinash dhe autobusësh, qyteti i Sao Paolos u kthye në një kaos të vërtetë.
Një natë e tmerrshme dhe e pafund për atë që ishte ndoshta faqja më e errët në historinë e Santosit.