Infantino i “dashuruar” pas “pleshtit”: Shpresoj që Messi të luaj në Botërorin e ardhshëm
Fitorja e Kupës së Botës, me Kombëtaren argjentinase, mund të thuhet se është një nga arritjet më të mëdha në karrierë, të 8 herë fituesit të “Topit të Artë”, Lionel Messi, me këtë të fundit, që zhvilloi një turne madhështor, ku u shpall dhe lojtari më i mirë i kompeticionit.
Së fundmi, sulmuesi 36-vjeçar i Inter Miamit ka rrëfyer se nuk ka dashur të mendojë për të ardhmen, pasi nuk e ka vendosur ende nëse do të jetë i pranishëm në Botërorin 2026, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Mirëpo, në krahun tjetër, Presidenti i organit më të lartë të futbollit, në botë, FIFA, Gianni Infantino, ka pranuar se do të dëshironte që Messi të merrte pjesë në edicionet e ardhshme të Kupës së Botës.
“Shpresoj që Messi të luajë në Botërorin e ardhshëm, atë pas këtij edicioni dhe në 2034. Për aq kohë sa të dojë”, tha italo-zvicerani, për mediat, duke shprehur kështu haptazi, “dashurinë” e tij të madhe për “yllin” argjentinas.