“Nipah, rrezik shumë i ulët për evropianët”, Dr. Fenton: Jo çdo shpërthim kthehet në krizë, por teston sistemet

“Nipah, rrezik shumë i ulët për evropianët”, Dr. Fenton: Jo çdo shpërthim kthehet në krizë, por teston sistemet

Rreziku për Evropën për transmetimin e virusit Nipah është shumë I ulët. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve deklaron se rruga më e mundshme për hyrjen e virusit në Evropë do të ishte nëpërmjet udhëtarëve të infektuar. Edhe pse importimi i virusit nuk mund të përjashtohet, kjo konsiderohet gati e pamundur.

Meqenëse lakuriqët e frutave që mbartin virusin Nipah nuk janë të pranishëm në Evropë, rreziku i transmetimit të mëtejshëm pas një importimi të mundshëm vlerësohet gjithashtu si shumë i ulët në kontekstin aktual.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve paralajmëron qytetarët e BE që udhëtojnë për në Bengalin Perëndimor të këshillohen dhe të shmangin burimet e mundshme të infeksionit siç janë kafshët shtëpiake ose të egra, ushqimi i kontaminuar nga lakuriqët dhe lëngjet e papërpunuara të frutit të palmës.

Ndërkohë në një shënim në rrjetet sociale drejtori i shëndetit publik në Londër Prof. Kevin Fenton bën një analizë përtej lajmeve shëndetësore për këtë virus.

“Virusi Nipah na kujton se shëndeti publik, sa ç’ka të bëjë me përgatitjen dhe gjykimin, po aq shumë ka të bëjë edhe me reagimin. Jo çdo shpërthim kthehet në krizë, por çdo shpërthim teston sistemet: mbikëqyrjen, besimin, vigjilencën klinike dhe koordinimin midis sektorëve dhe kufijve. Ky shpërthim na kujton pse mbrojtja e punonjësve të kujdesit shëndetësor është e panegociueshme dhe pse zbulimi i hershëm dhe kontrolli i infeksionit mbeten ndër mjetet tona më të fuqishme”, tha Fenton.

Një vështrim Prof. Fenton e ka për mënyrën së si komunikohen lajmet e viruseve të tilla.

“Me rëndësi, Nipah tregon se si të komunikohet rreziku në mënyrë të përgjegjshme. Vdekshmëria e lartë nuk do të thotë automatikisht rrezik i lartë i popullsisë. Mesazhet e qeta dhe të bazuara në prova parandalojnë frikën, mbrojnë komunitetet dhe mbështesin besimin në institucionet e shëndetit publik. Shëndeti publik funksionon më mirë kur është gati, i besueshëm dhe i besuar”, tha Fenton. /rtsh/

Share This