Messi, një tjetër sukses, shpallet “Sportisti i Vitit” nga revista “Time”
Lionel Messi u shpall “Sportisti i Vitit” nga revista “Time”.
Kampioni argjentinas i shton kështu një tjetër trofe prestigjioz listës së tij të pafund të triumfeve, e fundit prej të cilave ishte Topi i Artë i tij i tetë.
Messi është sportisti i pestë që mund të mburret me titullin, i krijuar në vitin 2019 nga revista prestigjioze amerikane e cila ka zgjedhur “personin e vitit” që nga viti 1927.
Fituesit ndër vite:
– 2019: Ekipi kombëtar i futbollit për femra të Shteteve të Bashkuara
– 2020: LeBron James (basketboll)
– 2021: Simone Biles (gjimnastikë artistike)
– 2022: Aaron Judge (bejsboll)
Në intervistën e publikuar me rastin e dhënies së titullit, Messi foli edhe për zgjedhjen për t’u transferuar në Miami pas skadimit të kontratës me PSG-në.
“E vërteta është se fatmirësisht kisha disa opsione interesante në tavolinë dhe kisha mundësinë t’i analizoja, t’i vlerësoja me familjen time, përpara se të merrja vendimin përfundimtar për të ardhur në Miami. Opsioni im i parë ishte të kthehesha në Barcelonë, por nuk ishte e mundur”, tha Messi.
“U përpoqa të kthehesha, por nuk ndodhi. Kam menduar shumë për të shkuar në ligën saudite, ku e njoh vendin dhe kanë krijuar një gare të fuqishme, e që mund të bëhet një kampionat i madh në të ardhmen e afërt. Si ambasador i turizmit i Arabisë, ishte një destinacion që më tërhoqi, sidomos sepse më pëlqeu gjithçka që vizitova, për mënyrën se si po rritet futbolli në vend dhe për përpjekjet që po bëjnë për të krijuar një konkurrencë të nivelit të lartë”, ka theksuar asi argjentinas.