Daja i Ballkanit para sfidës me Lincoln: Gjasat janë 50/50
Trajneri i FC Ballkanit, Ilir Daja në konferencën për media, një ditë para duelit me Lincoln Red Imps të Gjibraltarit, ka thënë se gjasat për kualifikim në rundin tjetër të Ligës së Konferencës janë 50/50.
Kampioni i Kosovës nesër mbrëma në “Fadil Vokrri” do të ballafaqohet me skuadrën nga Gjibraltari, në sfidën e parë të rrethit të tretë në kësaj garë evropiane.
Trajneri i skuadrës nga Suhareka, ka thënë se skuadra e tij, ka pasur vetëm tri ditë kohë për t’u përgatitur. Daja thotë se të besuarit e tij do të hyn në lojë për të marrë rezultat pozitiv dhe duke respektuar skuadrën mike.
“Ata kanë pasur tri javë kohë dhe ne kemi pasur tri ditë kohë. Prandaj, them që nuk është favorit as Ballkani e as kundërshtari. Gjasat janë 50/50. Kështu, do të futemi në fushë, duke e respektuar maksimalisht si një kundërshtar të turit të tretë të Ligës së Konferencës”, ka thënë Daja.
Ballkani në duel me Lincoln Red Imps nuk do të mund të llogarisë në Lindon Emërllahun e lënduar dhe Albion Rrahmani, i cili tashmë i është bashkuar skuadrës rumune, Bukuresht.
Skuadra jonë në rast se do të eliminojë Lincoln, do të luajë në play-off-in e Ligës së Konferencës kundër humbësit të duelit mes Sheriff Tiraspolit të Moldavisë apo BATE Borisovit të Bjellorusisë.
Ndeshja Ballkani- Lincoln Red Imps fillon në orën 20:45.