Luis Suarez, zyrtarisht i bashkohet Messit tek Inter Miami
Tashmë është zyrtare: Sulmuesi Luis Suarez do të jetë përforcimi më i ri i ekipit amerikan, Inter Miami.
Rrjeti prestigjioz sportiv amerikan, “ESPN”, ka njoftuar se Suarez në fillim të vitit të ardhshëm do të transferohet tek ekipi amerikan, me të cilin tashmë ka arritur marrëveshje.
Ai do t’i bashkohet Interit të Miamit si lojtar i lirë, pasi ka arritur marrëveshje me Gremion për shkëputjen e kontratës në fund të këtij viti.
Në krahun tjetër, edhe Gremio e ka konfirmuar largimin e Suarezit, i cili iu bashkua ekipit brazilian në janar të këtij viti.
Këtë vit, Suarez ka shënuar 23 gola dhe ka dhënë pasimin e fundit edhe për 17 të tjerë në të gjitha veprimtaritë për Gremion.
Kështu, Luis Suarezi e ka marrë vendimin për të ardhmen dhe tashmë po përgatitet për t’u ribashkuar me miqtë që ka pasur te Barcelona, pasi kontrata e tij me Gremion të skadojë më 31 dhjetor 2023.
36-vjeçari është gati që ta mbyllë karrierën në kampionatin amerikan të futbollit, MLS, tek skuadra ku luajnë Messi, Busqets dhe Jordi Alba.
I pyetur për këtë çështje, trajneri i i Inter Miamit, Gerardo Martino, pati deklaruar në fillim të nëntorit se në njërin nga planet e tyre është edhe afrimi i Suarezit.
Një plan që tashmë është vënë në jetë dhe uruguaiani do t’i shtojë më tepër rrezikshmëri skuadrës amerikane të futbollit.