Presidenti Ademi: Është krenari dhe privilegj të jem anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s

Presidenti Ademi: Është krenari dhe privilegj të jem anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s

Sot në Doha të Katarit është mbajtur mbledhja e parë inauguruese e Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s, një organ i ri dhe i rëndësishëm i qeverisjes së futbollit botëror.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është zgjedhur anëtar i këtij komiteti me mandat katërvjeçar, duke e cilësuar këtë angazhim si një nder, por edhe si një përgjegjësi të madhe.

“Është krenari dhe privilegj, por njëherësh edhe përgjegjësi të jem anëtar i këtij organi të rëndësishëm me mandat katërvjeçar. Ashtu sikurse në Komitetin HatTrick të UEFA-s, edhe këtu do të jap kontributin tim maksimal për të mirën e përgjithshme të futbollit”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.

I pari i futbollit tonë, theksoi se angazhimi i tij do të jetë gjithmonë në funksion të zhvillimit të futbollit kosovar.

“Gjithmonë do të jem pranë futbollit tonë në çdo mekanizëm vendimmarrës dhe do të bëj çmos që të rinjtë tanë, që ëndërrojnë të shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare, të kenë kushte dhe mundësi sa më të mira për zhvillimin e talentit të tyre”, ka theksuar Ademi.

Pjesëmarrja e Agim Ademit në këtë komitet të FIFA-s vlerësohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e pozitës së futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Share This