Përpjekjet për paqe në Ukrainë-Starmer pret Zelenskyn: Faza aktuale e negociatave, mjaft kritike

Përpjekjet për paqe në Ukrainë-Starmer pret Zelenskyn: Faza aktuale e negociatave, mjaft kritike

Kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer ka pritur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe liderët e Francës dhe Gjermanisë në “Downing Street” për biseda të nivelit të lartë mbi të ardhmen e Ukrainës, në një përpjekje të përbashkët për të gjetur një rrugë drejt mbarimit të luftës me Rusinë.

Kryeministri britanik dhe presidenti ukrainas u bashkuan me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz në Londër, si pjesë e një serie takimesh për të mbështetur Ukrainën në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

Takimi u fokusua kryesisht në planin e paqes të propozuar nga Uashingtoni, duke diskutuar si mund të kapërcehen pengesat dhe mosmarrëveshjet e mundshme, si dhe për të demonstruar mbështetjen e vazhdueshme evropiane për Kievin dhe liderin e tij.

Sipas burimeve të mediave britanike, takimi zgjati rreth dy orë dhe u zhvillua në një moment kritik të negociatave, ndërsa presioni nga SHBA-ja për një marrëveshje të shpejtë rritet.

Starmer e cilësoi fazën aktuale si një moment kritik në shtytjen drejt paqes, duke theksuar nevojën për një “çështje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Friedrich Merz shprehu skepticizëm ndaj disa detajeve të propozimit amerikan, duke thënë se “jemi skeptikë për disa nga detajet që vijnë nga ana amerikane, por duhet të flasim për to – kjo është arsyeja pse jemi këtu”.

Ai shtoi se ky mund të jetë “një moment vendimmarrës për të gjithë ne”, ndërsa Evropa ka “kartat në dorë” për të ndihmuar Ukrainën, siç u shpreh edhe Macron, duke përmendur planet evropiane për financimin e armatimit dhe efektin e sanksioneve ndaj ekonomisë ruse.

Share This