Dardanet e presin me optimizëm duelin me bullgaret
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka nisur përgatitjet për ndeshjen kundër Bullgarisë, në kuadër të Ligës së Kombeve, e cila zhvillohet më 1 dhjetor, në orën 13:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Stërvitja e parë u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali në një mot tejet të ftoftë dhe me reshje të shiut, por kjo nuk i pengoi futbollistet dardane që të punojnë me përkushtim nën urdhërat e përzgjedhëses Anneli Andersen dhe stafit të saj.
“Stërvitja e parë shkoi mirë. Moti për mua ishte i mirë sepse vij nga Suedia. Ishte kënaqësi të shihja vajzat duke u stërvitur. Natyrisht se të gjithë kanë dëshirë të luajnë në diell, por është përparësi pasi jemi përgatitur edhe për ndeshje me mot me shi. Kemi pasur rezultatet të mira. Kundër Bullgarisë të gjitha rezultatet janë të mundshme. Duhet të punojmë shumë sepse Bullgaria nuk është kundërshtar i lehtë. Ata kanë një ekip shumë të mirë. Sivjet jemi përballur katër herë me këtë kundërshtar dhe secila lojë ishte më e vështirë se sa tjera. Siç i njohim ne, edhe ata na njohin neve, prandaj duhet të jemi sa më të përgatitur”, ka theksuar pas stërvitjes përzgjedhësja, Anneli Andersen.
Futbollistet Valentina Limani dhe Lumbardha Misini u shprehën të lumtura që sërish janë bashkë në ekipin kombëtar dhe shfaqën optimizmin e tyre për rezultat pozitiv kundër Bullgarisë. Fitorja në këtë takim ia mundëson Kosovës që të promovohet në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Plovdiv, Kosova barazoi me Bullgarinë (0:0), derisa në dy ndeshjet me Maqedoninë e Veriut ka shënuar fitore (3:1 dhe 2:0). Stërvitjen e radhës Dardanet e zhvillojnë të mërkurën në Podujevë.
Lista e futbollisteve
Besarta Leci – VfB Stuttgart
Raimonda Spahiu – Mitrovica
Alma Demiri – Koln II
Edona Kryeziu – Mitrovica
Rrezona Ramadani – Vllaznia
Blerta Smaili – Sundsvall DFF
Agnesa Gashi – Mitrovica
Feride Gashi – Hajvalia
Fatlinda Ramaj – Hajvalia
Iliriana Vllasalija – Bromolla
Gresa Berisha – Tirana
Valentina Limani – Eintracht Frankfurt
Lumbardha Misini – Hajvalia
Albulena Guri – Hajvali
Donjeta Halilaj – Besiktas
Verona Berisha – Hajvali
Egzonë Zeka – Mitrovicë
Valentina Metaj – Elpides Karditsas
Venera Rexhi – Mallbackens IF
Kaltrina Biqkaj – Mitrovica
Modesta Uka – Sturm Graz
Elizabeta Ejupi – Sunderland FC
Erëleta Memeti – Hoffenheim