Rutte akuzon Rusinë për provokime të pamatura dhe të rrezikshme

Rutte akuzon Rusinë për provokime të pamatura dhe të rrezikshme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi dje se Rusia kishte shkelur vazhdimisht sigurinë e Aleatëve, duke akuzuar Moskën për shkelje të hapësirës ajrore, kryerjen e sabotimit dhe vendosjen e “anijeve spiune” pranë ujërave të NATO-s, sipas “Sky News”.

Duke folur në hapjen e takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel, Rutte tha se aleanca po vlerësonte progresin e bërë që nga samiti “historik” i Hagës, ndërsa përgatitet për takimin e ardhshëm të liderëve në Ankara në korrik 2026.

Rutte tha se mjedisi i sigurisë mbetej shumë i paqëndrueshëm ndërsa Rusia vazhdon të testojë aftësitë mbrojtëse të NATO-s.

Ai përmendi incidentet e fundit në të cilat dronët që dyshohet se janë të lidhur me Rusinë hynë në hapësirën ajrore polake dhe rumune, ndërprenë shërbimet në aeroporte dhe objektet ushtarake në Evropën Perëndimore dhe sabotuan një linjë hekurudhore kyçe midis Varshavës dhe Kievit në nëntor.

Polonia që atëherë ka dislokuar 10,000 trupa për të mbrojtur infrastrukturën e rëndësishme, ndërsa Moska ka mohuar çdo përfshirje.

Shefi i NATO-s theksoi gjithashtu se Rusia po punonte më ngushtë me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin për stabilitetin global.

“NATO po vepron me forcë, unitet dhe vendosmëri, ndërsa aleatët evropianë dhe Kanadaja rrisin shpenzimet e mbrojtjes”, tha Rutte.

Megjithatë, Rutte u kërkoi shteteve anëtare të përshpejtonin investimet në industritë e mbrojtjes, infrastrukturën dhe inovacionin për të forcuar rezistencën.

Duke iu drejtuar Ukrainës, Rutte theksoi nevojën urgjente për të rritur ndihmën ushtarake, ndërsa kushtet e dimrit përkeqësohen dhe sulmet ruse vazhdojnë.

Rutte përshëndeti përpjekjet e vazhdueshme të presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit dhe u bëri thirrje aleatëve të përshpejtonin kontributet në Listën e Kërkesave të Prioriteteve për Ukrainën (PURL), një mekanizëm që mundëson blerjen e armëve të prodhuara në Amerikë për Kievin. /atsh/

Share This