Superliga/ Trepça dhe Prishtina u kthehen fitoreve
Trepça e Prishtina janë kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve.
Pasi humbën derbit të enjten, të dy skuadrat fituan në ndeshjet në udhëtim që i takuan xhiros së 11-të.
Trepça fitoi ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me rezultat 48:30. Ermir Smaka ishte më efikasi te mitrovicasit me nëntë gola. Nga tetë i kishin Hamdi Salihu dhe Shpëtim Mehmeti, ndërsa shtatë i shënoi Yassine Henahem.
Te Vëllaznimi, shtatë gola i shënoi Labinot Kërleshi, sa i kishte edhe Ardi Halili. Shkëlqim Kuqi kontribuoi me gjashtë gola. Trepça është e treta me 16 pikë, derisa Vëllaznimi është i fundit me vetëm dy pikë.
Fitoren e gjashtë në kampionat e ka arritur Prishtina, që është e katërta në tabelë me 12 pikë.
Prishtina e mposhti në udhëtim Deçanin e vendit të gjashtë. Deçani mbetet me katër pikë. Prishtina fitoi me rezultat 38:31.
Albi Gjuka i shënoi nëntë gola për Prishtinën. Tetë i kishte Vladyslav Napadailo. 14 gola për Deçanin i realizoi Florian Rexha.
Sonte luhet derbi i madh mes Besa Famgasit dhe Rahovecit, ndeshje kjo që luhet në “Karagaçi” dhe nis në orën 18:00.