Guardiola vlerëson “shokun” Klopp: E ka transformuar Liverpoolin
Man.City do të shpresojë që të rikthehet në rrugën e fitoreve në kampionat, teksa në javën e 13-të do të përplaset me Liverpool.
Një sfidë mes dy skuadrave që kanë ndarë titujt, garën dhe rivalitetin më të madh në Premier League që prej vitit 2018. Në konferencën për shtyp prag të ndeshjes, Guadiola theksin kryesor e vuri mbi kondicion fizik të Erling Haaland.
“Haaland u stërvit pak të enjten dhe u shfaq më mirë të premten, shpresoj që në ditën e ndeshjes të jetë në formën më të mirë. Man.City po kalon disa probleme, njëlloj si të gjithë klubet e tjera në Premier League.”
City udhëheq kampionatin anglez me 28 pikë pas 12 ndeshjesh, një pikë më shumë se Liverpooli i Jurgen Kloppit, skuadër e cila është e pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit në kampionat. Guardiola foli fjalë të mira për trajnerin gjerman.
“Mendoj se jemi shokë të mirë. E njohim njëri-tjetrin prej shumë kohësh. Sigurisht, vitet kalojnë, Klopp po bën 8 vite në drejtimin e Liverpoolit dhe shumë gjëra kanë ndryshuar që prej momentit të parë. Ai e ka transformuar skuadrën totalisht.”
Dueli i jashtëzakonshëm i Premier League mes City-t dhe Livepoolit do të japë një mesazh të qartë për vijimësinë e skuadrave në këtë sezon futbollistik.
Për momentin, kampionati anglez është më i ndezur se kurrë, pasi vetëm tri pikë i ndajnë pesë skuadrat e para në tabelën e klasifikimit. /SS/