“Karagaçi”, arenë e derbit të fundjavës
E gjithë vëmendja në fundjavë do të jetë në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Të dielën nga ora 18:00 zhvillohet derbi i madh i Superligës së hendbollistëve mes Besa Famgasit dhe Rahovecit, ndeshje kjo që zhvillohet në kuadër së 11-të të Superligës së Kosovës në hendboll.
Javë më parë Rahoveci e mposhti Besën për një gol, duke ia shkaktuar humbjen e parë kampionale pas një kohe shumë të gjatë. Rahoveci është lider me 20 pikë, pasi i ka fituar 10 ndeshjet e deritashme. Ndërkohë Besa është e dyta në tabelë, ndërsa ka vetëm atë humbje nga Rahoveci.
Të dy skuadrat kanë shënuar fitore të thella të enjten dhe janë plotësisht gati për spektakël hendbolli. Rrjedha e ndeshjes së parë garanton lojë të fortë dhe shumë interesante deri në fund.
Nën hijen e derbit në Pejë, në fundjavë do të luhen edhe tri ndeshjet tjera të xhiros së 11-të. Po të dielën prej orës 18:00, Vushtrria takohet me Kastriotin.
Të shtunën janë ndeshjet Vëllaznimi –Trepça (19:30) dhe Deçani – Prishtina (19:00).
Në Ligën e Parë (meshkujt) është java e tetë. Të shtunën luhen tri ndeshje: Vjosa – Lepenci (18:30), Drita – Prizreni (18:30), Llapi – Ulpiana (19:00). Të dielen janë dy takime. Dukagjini e Istogu luajnë prej orës 13:00, ndërsa Drenica e Samadrexha prej orës 18:00.