Gara më e madhe e xhudos sjellë xhudistë nga i gjithë rajoni
Gjithçka pritet të marrë formë së shpejti, që Pallati i Rinisë dhe i Sporteve në Prishtinë, ta organizojë Kampionatin e hapur evropian në xhudo, i cili do të organizohet më 16 dhjetor në Prishtinë.
Gara më e madhe e xhudos e organizuar ndonjë herë në vendin tonë, pritet të sjellë xhudistë nga i gjithë rajoni.
Pasi më herët Pallati i Rinisë dhe i Sporteve në Prishtinë është inspektuar dhe nga drejtuesit e Federatës Evropiane të xhudos, tashmë këshilli organizativ e ka të qartë çdo intervenim që duhet ta bëjë për ti dhënë këtij objekti pamjen që e meriton kjo ngjarje.
Presidenti i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, i shoqëruar nga përfaqësues të kompanive që do të merren me organizimin, e ka inspektuar të enjten Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Nga ajo që shihet do të ketë punë të madhe për ta shëndrruar në një palestër, e cila do ti plotësojë kriteret e Federatës Evropiane të xhudos, sidomos në pikat që tashmë janë identifikuar.
Në kampionatin e hapur evropian të xhudos, garat do të zhvillohen vetëm në dy kategori, në 73 kg te djemtë dhe 57 kg te vajzat.
Pjesëmarrjen e tyre tashmë e kanë konfirmuar 17 shtete me 28 garues.
Te djemtë, Kosova do të përfaqësohet me Akil Gjakovën në 73 kg, kurse te vajzat me Nora Gjakovën e Distria Krasniqin.
Për Distrian do të jetë hera e parë që do të avansojë në kategorinë 57 kg, pasi deri tash ajo është paraqitur në 48 dhe 52 kg.
Kampionati i hapur evropian i xhudos, do të jetë ekskluzivitet i Radiotelevizionit të Kosovës.