Ballkani, ëndrra evropiane vazhdon në SuperSport, këtë të enjte të besuarit e Dajës përballë Lincoln Red Imps.
Ballkani është një ndër skuadrat më të kuotuara shqiptare për të shkuar këtë sezon në grupet e Conference League.
Bashkë me Partizanin dhe Strugën e Shpëtim Duros janë të vetmet skuadra nga trojet shqiptare të mbetura në garën evropiane, e cila po dhuron emocione, të cilat vazhdoni t’i shijoni në SuperSport.
Edhe në raundin e tretë të Conference League kampionët e Kosovës vijnë në platformën e të gjithë shqiptarëve Digitalb/SuperSport, që do të transmetojë edhe sfidën e parë të këtij raundi, drejtpërdrejt nga “Fadil Vokrri”.
Sfidën Ballkani – Lincoln Red Imps këtë të enjte mund ta shijoni duke nisur nga ora 20.45 në SuperSport 2. Një sfidë që pritet të dhurojë shumë emocione, me Ballkanin që nuk zhgënjeu në raundin e dytë, duke i shënuar plot 7 gola në të dyja sfidat Larnes, skuadrës irlandezo-veriore, që provoi forcën e kampionëve të Kosovës.
Përballë Lincoln Red Imps, skuadër nga Gjibraltari, Ballkani mund të konsiderohet favorit, mbi të gjitha për atë që ka shprehur në këtë verë evropiane, duke u demonstruar si një skuadër me ide të qarta loje, mekanizma që funksionojnë, një identitet të sajin dhe shpirtin sulmues, diçka me të cilën nuk bëri kompromis edhe pas fitores 2-0 në raundin e parë të Championsit kundër Ludogorets.
Sfida e kësaj të enjteje vjen si një tjetër gur prove për të besuarit e Ilir Dajës, që synojnë të kalojnë këtë tur për të matur më pas forcat në play off me humbësen e çiftit Bate Borisov-Sherif Tiraspol në Europa League, një mision më se i arritshëm në një rrugëtim emocionues që do të mund ta ndiqni vetëm në SuperSport.