Fitore për Besa Famgasin dhe Rahovecin para superderbit në Pejë
Kampionia në fuqi, Besa Famgas, dhe lideri i klasifikimit, Rahoveci, kanë shënuar fitore të thella të enjten në ndeshjet e mbetura të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll.
Kështu të dy skuadrat kanë dëshmuar që janë të gatshme për superderbin që zhvillohet të dielen prej orës 18:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Ndeshja Besa Famgas – Rahoveci i takon xhiros së 11-të të elitës së hendbollit kosovar.
Besa Famgas të enjten fitoi ndaj Prishtinës në kryeqytet me rezultat 36:28. Pejanët nisën herët në ndeshje të shkëputën dhe në pjesën e dytë mbajtën vazhdimisht epërsi të lartë.
Arbios Mushkolaj shënoi dhjetë gola për Besën, ndërsa Olsi Mulaj i kishte shtatë. Te Prishtina lojtari më efikas ishte Albi Gjuka. Ai shënoi nëntë gola. Gjashtë i kishte Ylli Visoka.
Besa Famgas tani i ka 16 pikë në vendin e dytë. Ka tetë fitore e një humbje. Prishtina në vendin e pestë i ka dhjetë pikë nga dhjetë ndeshje.
Fitoren e dhjetë rresht e ka shënuar Rahoveci. Rahoveci tani udhëheq me 20 pikë. Rahoveci e ka fituar shumë thellë, 45:26, atë që mendohej se do të ishte ndeshje derbi. E mposhti Trepçën në “Mizahir Isma” në Rahovec.
Skuadra vendase nisi furishëm ndeshjen dhe më pas mbajti vazhdimisht epërsi të lartë. Skuadra mitrovicase, që kishte mungesa të rëndësishme në përbërje, nuk ka mundur as për së afërmi t’i përgjigjet lojës së Rahovecit që gjithnjë e më shumë po dëshmon forcën dhe nivelin.
Jon Muqolli i kishte tetë gola për Rahovecin. Gjashtë i shënoi Adonit Isufi, ndërsa nga pesë i realizuan Jeton Bislimi e Mali Luzha. Te Trepça, dhjetë gola i shënoi Deniz Terziqi. Pesë i kishte Shpëtim Mehmeti. Trepça mbetet e treta me 14 pikë.