Frikë për Villas Boas…
“Policia dhe spitali”. Faqja e parë, ajo e gazetës sportive portugeze A Bola, tërësisht kushtuar sulmit të pësuar nga André Villas-Boas, ish-trajneri i Portos dhe ndër kandidatët për president të Dragoes. Shtëpia e trajnerit portugez, i cili gjithashtu ka eksperiencë në Itali me Interin si ndihmës i Josè Mourinhos nga viti 2008 deri në 2009, u sulmua për herë të dytë në harkun e një muaji dhe kujdestari 64-vjeçar i godinës është sulmuar fizikisht dhe është dashur të dërgohet në spital.
Personit në fjalë i janë vjedhur edhe makina, portofoli dhe celulari. Policia portugeze po heton.
“U hodhën fishekzjarre, bashkëpunëtorit tim i vodhën edhe makinën. Fatkeqësisht aktet e kanosjes, vandalizmit dhe dhunës vazhdojnë dhe kërkoj nga autoritetet që të bashkëpunojnë për zbardhjen e këtyre incidenteve”, shkruan Villas Boas në një postim në rrjetet sociale.
Prej disa kohësh tensioni tek Porto është rritur në nivele alarmante. Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve, e cila duhej të diskutonte dhe miratonte statutin e ri të kompanisë më 13 nëntor u pezullua për shkak të zënkave që shpërthyen mes pjesëmarrësve. Mbledhja e re, e planifikuar për në 20 nëntor, përfundoi në ngërç për shkak se rishikimi i statutit u hoq nga rendi i ditës.
Në origjinën e përçarjes midis dy fraksioneve është hipoteza e një riemërimi të presidentit historik të Portos, Jorge Pinto da Costa, i cili drejton ekipin që nga viti 1982. Më 31 tetor në muret e shtëpisë së Villas-Boas shkruanin “tradhtar AVB”, por episodi i së mërkurës ishte më i rëndë.