Evropiani, gjithçka që duhet të dini: Qytetet mikpritëse, stadiumet, transporti dhe biletat
Është Topi me të cilin do të luhet në Gjermani, aty që nga 14 qershori do të jetë edhe Shqipëria për tu përfaqësuar në fazën finale të Europianit, një destinacion i ëndërruar dhe për qindra mijëra tifozë shqiptarë që do të duan të ndjekin nga afër kombëtaren kuqezi në eventin madhor të futbollit.
Fakti që organizohet në Gjermani është një lajm i mirë, jo vetëm për shqiptarët e shumtë që ndodhen aty apo në vendet përreth por edhe për faktin se Gjermania organizon një event madhor 18 vite pas botërorit 2006 dhe që atëherë ka parë me largpamësi në planifikimin e strukturave, me stadiume komode që do të jenë në funksion të euro 2024.
STADIUMET DHE QYTETET
Një turne i madh që organizohet në zemër të Europës, dhe festa do të mbahet në 10 qytete me 9 stadiume që do të jenë të njëjtët me ata të Botërorit dhe bëhet fjalë për impiante me kapacitet të madh për sa i përket spektatorëve. Arena e re është ajo e Dyseldorfit me 47 mijë vende, ndërkohë që ndeshja inaguruese në do të jetë në Mynih me “Allianz Arena” që ka nja kapacitet prej 67 mijë vendesh për këtë turne ndërsa finalja luhet në Berlin në stadiumin 70 mijë vendesh. Stadiumet e tjera janë ai i Këlnit (47 mijë), Dortmundit (66 mijë), Frankfurti (48 mijë), Gelsenkirschen (50 mijë), Hamburgu (50 mijë), Leipzig (42 mijë) dhe Shtutgart (54 mijë).
BILETAT
Me kualifikimin e Shqipërisë ka nisur dhe gara për një biletë. Biletat kanë dalë në fakt në shitje me çmimet që variojnë nga 30 e deri në 1000 euro, duke variuar në bazë të ndeshjeve (ajo inauguruese, takimet në grupe dhe faza me eliminim të drejtpërdrejtë). Nëse marrim për shembull gjysmëfinalen çmimet e biletave nisin nga 80 euro e deri në 600 euro. Faza e parë e shitjes së biletave është mbyllur në 26 tetor, ku janë shitur 1.2 milionë bileta me short, duke qenë se kërkesa ka qenë për 2.7 milionë. Impenjimi i UEFA-s është ai që të destinojë 80% të biletave vetëm për tifozët dhe vetëm pjesën tjetër për sponsorat apo institucionet. Mbi 1 milionë bileta do të dalin në shitje pas shortit të fazës finale, bileta do të shiten në faqen zyrtare të UEFA-s ku është më mirë të bëhet që tani regjistrimi.
TRANSPORTI
Gjermania është impenjuar të krijojë lehtësira për transportin e tifozëve për ndeshjet e Europianit. Në ditët e ndeshjeve ata që disponojnë bileta mund të udhëtojnë falas me mjetet publike për të lehtësuar spostimet duke hequr dorë nga makinat. Spektatorët do të kenë falas për mjetet e transportit publik, autobus, tram, metro, një biletë që vlen 36 orë dhe që mund të përdoret që 6 ditë para ndeshjes e deri në orën 18.00 të ditës pasardhëse në qytetet mikpritëse. Parashikohet që në disa qytetet rreth 70 % e spektatorëve të përdorin mjetet publike për të shkuar në stadium. Duke qenë se një ndër parimet e UEFA-s është ai për të reduktuar ndryshimet klimatike është lehtësuar përdorimi i mjeteve publike dhe një faktor pozitiv për tifozët është se dhe kalendarët e grupeve do të ndërtohen për të reduktuar në minimum transfertat nga njëra ndeshje në tjetrën.