Zyrtare: FFK dhe Gliha ndajnë rrugët
Ndeshja Kosovë-Bjellorusi (0-1), duel ky që u zhvillua mbrëmë ishte e fundit për Primozh Gliha-n.
Slloveni Primozh Gliha më nuk do të jetë në krye të Kombëtares së Kosovës.
FFK përmes një njoftimi, ka konfirmuar ndarjen me teknikun slloven.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primozh Gliha”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluar pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse.
“Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”, thuhet në fund të njoftimit të FFK-së.