Ju hoq shiriti i kapitenit, për Maguire ofertë nga klubi i Premier League-s
West Hami nuk dorëzohet për Harry Maguire. Sipas të përditshmes angleze, “Daily Mail”, “Çekanët” pritet të bëjnë një ofertë të dytë për mbrojtësin, të cilit së fundmi i është hequr shiriti i kapitenit nga trajneri Eric Ten Haag.
Më herët, klubi londinez kishte bërë një ofertë prej 20 mln paundësh për 30-vjeçarin, e cila u refuzua nga “Djajtë e Kuq”, pasi u cilësua si e ulët, ndërsa tani West Hami ka trokitur në derën e United-it me një ofertë të re që kap shifrën e 30 mln paundëve, 5 mln më pak nga çmimi që klubi i ka vendosur mbrojtësit.
Maguire nuk është lojtari i vetëm që kërkohet nga londinezët, pasi United ka marrë një ofertë prej 15 mln paundësh edhe për mesfushorin skocez Scott McTomminay, shifër kjo mjaft e ulët krahasuar me 45 mln që kërkon klubi nga “Old Trafford”.
Me largimin e Declan Rice drejt Arsenal-it, klubi po kërkon një zëvendësues dhe lojtari duket alternativa e duhur. E ardhmja e 26-vjeçarit në Manchester duket e pasigurt dhe tashmë me nënshkrimin me Mason Mount dhe zërat për një interesim për Amrabat, situata e tij pritet të bëhet më e vështirë. Gjithsesi “Djajtë e Kuq” mund të privohen nga shërbimet e dyshes Maguire-McTomminay për një shifër prej 80 mln paundësh.
Marrëveshja me West Ham-in për dyshen mund të mbyllet edhe për 70 mln paundë. Nëse nënshkrimi me Maguire dhe McTomminay realizohet, “Çekanët” do të siguronin 2 lojtarë me eksperiencë, që do t’i shërbenin për objektivat e klubit si në Premier League ashtu edhe në kupat e Europës.