Edi Rama analizon Kombëtaren shqiptare: Fitore kemi arritur, por top nuk kemi mbajtur me thënë të drejtën

Edi Rama analizon Kombëtaren shqiptare: Fitore kemi arritur, por top nuk kemi mbajtur me thënë të drejtën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte mysafir special i Kombëtares shqiptare mbrëmjen e së hënës.

Rama vizitoi ekipin kombëtar shqiptar pak para nisjes për në Moldavi, atje ku Kombëtarja shqiptare do të përballen me Moldavinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024.

I pari i ekzekutivit në shtetin shqiptar, Edi Rama ndër tjerash komentoi edhe ecurinë e kuqezinjve të udhëhequr nga trajneri brazilian Sylvinho.

“Të them të drejtën, që kur ju kam parë juve në fillim, i thashë që mbaje mend që kjo punë ka për të shkuar mirë, sepse këta luajnë futboll. E them këtë në kuptimin që mbajmë topin. Kemi bërë edhe disa fitore më parë, por top nuk kemi mbajtur me thënë të drejtën. Tani jeni përzier mirë, disa me eksperiencë, disa të rinj, kështu që unë erdha vetëm që t’ju shoh, t’ju uroj sukses. Unë shpresoj shumë të shkojë mirë. Detyrat e juaja ju i dini vetë, nuk ka nevojë t’ua tregoj unë e t’ju flas unë. Ju e keni nderuar këtë fanellë deri tani, e keni rrit shumë stekën dhe pritshmëritë”, u shpreh Rama në bisedën që pati me futbollistët dhe stafin e Kombëtares, njofton FSHF-ja.

Shqipërisë i nevojitet vetëm një pikë nga dy ndeshjet e fundit, atë kundër Moldavisë në udhëtim dhe Ishujve Faroe në shtëpi, për të siguruar plasmanin në Evropian që mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm.

Share This