Nisin përgatitjet për “betejën finale”
Kombëtarja shqiptare ka nisur të hënën pasdite zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet “finale”, të Eliminatoreve të Evropianit “Gjermani 2024”, atë ndaj Moldavisë, më 17 nëntor dhe atë Ishujve Faroe më 20 nëntor. Kuqezinjtë zhvilluan pasdite seancën e parë stërvitore në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet. Kuqezinjtë kanë punuar fillimisht në palestër, ndërsa më pas kanë dalë në fushën e lojës, aty ku kanë zhvilluar stërvitjen e parë zyrtare.
Sipas burimeve pranë kampit kuqezi, në këtë seancë të parë, nën drejtimin e trajnerit Silvinjo janë stërvitur 8 lojtarë, nga 18 që kanë mbërritur tashmë në grumbullim. Pjesa tjetër e lojtarëve janë lënë pushim nga trajneri për shkak të impenjimit të dielën me klubet përkatëse nëpër Evropë. Në bashkëpunim me ekipin kombëtar të Nën-21-vjeçarët, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë të përbashkët stërvitore.
Siç dihet, Arlind Ajeti nuk do të jetë për këto dy ndeshje dhe trajneri Silvinjo ka thirrur Jon Mersinajn si zëvendësues. Sakaq, Kristjan Asllani u është nënshtruar ditën e sotme kontrolleve mjekësore dhe ka rezultuar që nuk ka probleme fizike. Sidoqoftë, lojtari ka zhvilluar stërvitje të diferencuar dhe pritet t’i bashkohet ekipit nesër. Mario Mitaj, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Mirlind Daku dhe së fundmi Jon Mersinaj do të bashkohen gjatë mbrëmjes me ekipin kuqezi, me lojtarët që do të marrin pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore që do të zhvillohet të martën.
Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë deri të enjten në mëngjes për t’u nisur më pas drejt Moldavisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore. Ndeshja Moldavi-Shqipëri do të luhet në stadiumin “Zimbru” të Kishinjevit në Moldavi, duke nisur nga ora 18:00. Më pas, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Tiranës, ku më 20 nëntor do të presin Ishujt Faroe, me ndeshjen që do të luhet në ora 20:45 në stadiumin “Arenën Kombëtare”.