8 vite pas mrekullisë “EURO 2016”
Barazimi i Pragës e kthen Shqipërinë plot 8 vite pas në kohë, kualifikueset e “EURO 2016”, kuqezinjtë regjistruan pothuajse të njëjtin rrugëtim por jo të njëjtën dramë.
Ngjarjet e Beogradit përjashtohen nga skenari këtë herë ndërsa skuadra ndoshta jo në stil por në frymë dhe karakter është e njëjtë me atë të Xhani De Biazit.
Barazim djerse, i vuajtur, i luftuar dhe i arritur gati gati me dhunë. 8 vite më parë ishte kapiteni Lorik Cana ai që ndali Bendtner, ndërsa në 7 shtator 2023 dora e Berishës ndoshta nuk është dora e zotit por për shqiptarët përsonifikon një moment vendimtar në këto eleminatore. 7 pikë pas dy ndeshjeve të para dhe me bonusin e rëndësishëm të 2 sfidave në shtëpi kundër rivalëve kryesorë, Polonisë dhe Republikës Çeke me tre sfida si pritës në total dhe vetëm një transfertë delikate në Moldavi. Shqipëria ka në këmbë fatin e saj.
Askush nuk mund të ndikojë në rrugëtimin e kuqezinjve ashtu si në transfertën e Jerevanit. Ndeshja e Pragës nuk dhuroi vetëm një pikë, buzëqeshje dhe moral në grupin kuqezi por forcoi bindjen se ky grup nuk është rastësisht dhe nuk ka fatin pas sepse përtej golit fantastik të Bajramit, 70 minutat e Çekisë nxorrën në pah karakterin e një skuadre që në kokën e saj kishte krijuar bindjen se ishte një grup pothuajse i barabartë me vendasit e ndoshta edhe më i talentuar.
Shenjat e futbollit modern u shfaqën që në ndeshjen e parë në Poloni, ndërsa Moldavia dhe Ishujt Faroe krijuan idenë por bindjen e vulosi pikërisht barazimi i Pragës që nëse të dielën shoqërohet me një tjetër ndshje pa humbje, atëherë trajneri Sylvinho duhet të menaxhojë skuadrën drejt një misioni të ri, Gjermani 2024.