70 milionë euro për Vinicius
Reali i Madridit bëri të pamundurën për të afruar Kylian Mbappen në “Bernabeu” këtë verë.
Për momente të caktuara gjatë periudhës së merkatos u duke se transferimi i francezit në Madrid ishte punë e kryer. Por sikurse ndodhte në vitin 2022, edhe këtë vit gjithçka shkoi jo mirë për Realin.
Por nga mundësia për të firmosur me Mbappen, tashmë Reali rrezikon të humbasë dhe yllin e vet Vinicius Junior. Të paktën kështu bëjnë me dije mediat britanike dhe ato spanjolle duke iu referuar brazilianit. Manchester United është një nga klubet e interesuara për zhvillimet në aksin Madrid-Paris për sa i përket të ardhmes së Mbappes, pasi kjo mund t’i shkojë përshtat gjigantëve anglezë.
Sipas “Daily Mail”, Manchester United në kërkim të rikthimit në gjigantin e padiskutueshëm të futbollit anglez nuk ka ndër mend të kursehet në merkato. I mbështetur fuqishëm financiarisht nga marrëveshjet shumë milionëshe me kompani të rëndësishme, United po kërkon të joshë lojtarë kalibri dhe mes tyre është dhe Vinicius.
“Daily Mail” në Angli dhe “Defensa Central” në Madrid nënvizojnë se “Djajtë e kuq” janë gati të mbulojnë me miliona Vinciusin në mënyrë që ai të lërë “Bernabeu”-n për t’u transferuar në “Old Trafford”.
Nuk janë pak, por flitet për 70 milionë euro në sezon që mund të joshin çdo lojtar. Sigurisht që për të mbërritur deri aty do të duhet të plotësohen një sërë kushtesh. Më kryesorja do të ishte transferimi i Mbappes në Madrid, lëvizje që do t’i hapte më pas rrugë një largimi të brazilianit, pa llogaritur dhe pagesën për Realin.