7.7 milionë euro do të ndahen për 12 komuna me performancë të lartë

7.7 milionë euro do të ndahen për 12 komuna me performancë të lartë

Shefi i Zyrës së Bashkimit (BE) në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, në konferencën dhe panelet e diskutimit për Grantin e Performancës Komunale, ka theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje si një moment për të vlerësuar arritjet e komunave dhe për të forcuar qeverisjen lokale.

Ai është shprehur se granti nuk është vetëm një mbështetje financiare, por një mjet i fuqishëm për të nxitur përmirësimin institucional dhe ofrimin më të mirë të shërbimeve për qytetarët.

“Kjo është një ngjarje e rëndësishme, ku njohim arritjet e jashtëzakonshme të komunave të Kosovës dhe festojmë përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e qeverisjes lokale. Jemi të kënaqur që mbështesim këtë nismë të vlefshme, e cila është zhvilluar në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Granti për Performancë Komunale nuk shërben vetëm si një instrument financiar, por mbi të gjitha, si një shtytës kyç për komunat. Përmes këtij granti, komunat inkurajohen të përmirësojnë performancën institucionale dhe të ofrojnë shërbime publike me më shumë efikasitet dhe me përgjegjshmëri më të madhe ndaj nevojave të qytetarëve”, ka thënë Orav.

Në këtë kontekst, Orav ka bërë me dije se këtë vit do të ndahen 7.7 milionë euro për 12 komuna që kanë treguar performancë të lartë.

“Këtë vit, një shumë prej gjithsej 7.7 milionë eurosh do t’i ndahet 12 komunave të dalluara, të cilat kanë investuar shumë energji dhe përpjekje. Ju shprehim urimet tona më të përzemërta secilit prej jush. Gjatë konferencës së sotme, Timur do të flasë për rëndësinë e sistemit të menaxhimit të performancës në përmirësimin e qeverisjes lokale. E shfrytëzoj këtë rast për të përsëritur se arsyeja pse Bashkimi Evropian ka investuar në këtë nismë novatore është sepse Granti për Performancë Komunale ka dëshmuar se ndihmon në përmirësimin e qeverisjes së mirë në nivel lokal. Qëllimi i saj shkon përtej rritjes së investimeve kapitale në nivel komunal”, ka thënë ai.

Ndërsa Matthias Herr, drejtor për Evropën Lindore në Helvetas, ka thënë se sfidat globale me të cilat po përballet demokracia, përfshijnë ngushtimin e hapësirës qytetare, rënien e besimit në institucione dhe presionet nga migrimi, de-urbanizimi dhe ndryshimet klimatike.

“Ne besojmë se kur komunat fuqizohen, demokracia lulëzon. Komuna të forta ndërtojnë shoqëri më të forta”, ka thënë Herr.

Share This