557-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, MEPJ: Vendosi themelet e diplomacisë

557-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, MEPJ: Vendosi themelet e diplomacisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përkujtoi sot heroin e kombit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në 557-vjetorin e vdekjes.

“557 vjet nga ndarja nga jeta e Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit të kombit shqiptar, strategut dhe diplomatit të jashtëzakonshëm që ndërtoi ura komunikimi dhe aleanca me fuqitë e kohës, duke vendosur themelet e diplomacisë”, theksohet në një postim në rrjetet sociale të MEPJ.

MEPJ u shpreh se “sot, trashëgimia e tij na frymëzon të vazhdojmë misionin tonë për të përfaqësuar Shqipërinë evropiane sa më denjësisht në arenën ndërkombëtare”.

Më 17 janar të vitit 1468 u nda nga jeta Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468). Ai ishte strateg dhe burrë shteti, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko- shtetëror të popullit shqiptar.

Gjergj Kastriot Skënderbeu personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare. Figura e tij lidhet më luftën më se njëshekullore kundër pushtimit osman. /atsh/

Share This