
51 persona të vdekur në tragjedinë në Koçan
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka dhënë detaje për tragjedinë me zjarrin në diskotekën në Koçan. Ai ka deklaruar se numri i të vdekurve është të paktën 51 persona. Po ashtu ka thënë se deri më tash janë edhe mbi 100 të tjerë të lënduar dhe u transferuan në klinikat në Shtip dhe Shkup.
Ministri maqedonas, Toshkovski, ka theksuar se sipas informacioneve fillestare, zjarri ka nisur nga shkëndija të fishekzjarreve skenike të cilat më pas kanë marrë flakë në tavan, i cili ka qenë i materialit të ndezshëm.
“Për një periudhë të shkurtër kanë arritur edhe ekipe mjekësore edhe nga qytetet e tjera të afërta dhe helikopteri me te cilin janë bartur të plagosurit. Kanë humbur jetën 51 persona, më tepër se 100 janë lënduar dhe janë dërguar nëpër spitale në Shtip dhe Shkup”, ka deklaruar Toshkovski.
Sipas tij, janë arrestuar persona. Ai ka kërkuar mirëkuptimin e mediave gjatë raportimit mbi këtë rast, deri sa ka theksuar se secili person i përfshirë në këtë tragjedi do të mbajë përgjegjësi, raporton rtk.