30-vjetori i “Odës Dibrane”, performanca mbresëlënëse të grupeve folklorike
“Oda Dibrane”, festivali folklorik mbarëkombëtar, përmbylli me sukses mbrëmë në Peshkopi aktivitetin e 30-të të tij.
Performancat artistike të grupeve dhe ansambleve pjesëmarrëse ishin mbresëlënëse për të gjithë artdashësit që mbushën Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli”.
Risi e këtij përvjetori jubile të “Odës Dibrane” ishin pjesëmarrja e grupit folklorik nga arbëreshët e Italisë, si dhe numri special artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve. Në këtë festival morën pjesë grupe folklorike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Hapja zyrtare e festivalit Oda Dibrane u bë nga kryetari i bashkisë Dibër në Shqipëri dhe kryetari i komunës Dibër në Maqedoninë e Veriut. Të dy drejtuesit vlerësuan kontributin që Oda Dibrane ka dhënë për promovimin e traditave dibrane, duke krijuar një urë të qëndrueshme bashkëpunimi.
Parada e veshjeve tradicionale tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve. Kostumet shumëngjyrëshe, që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të fshatrave dhe qyteteve të rajonit, demonstruan pasurinë dhe diversitetin e kulturës shqiptare.
Oda Dibrane, përveçse një festë kulturore, është kthyer në një motor të rëndësishëm për promovimin e turizmit lokal dhe për forcimin e lidhjeve mes komuniteteve.