Tifozët shqiptarë të tretit në Evropë për blerje biletash për “Euro 2024”
Policia e Shqipërisë dhe ajo e Gjermanisë kanë nënshkruar të enjten në Tiranë, një marrëveshje bashkëpunimi që lidhet me Kampionatin Evropian të Futbollit “Euro 2024”.
Kjo marrëveshje vjen 85 ditë para se të fillojë kampionati më i dashur evropian i sportit, derisa tifozët shqiptarë janë të tretit në Evropë për blerje të biletave për ndeshjet e evropianit.
Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Taulant Balla dhe ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë, Karlfried Bergner u takuan sot me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, transmeton RTSH.
Kjo marrëveshje e dy policive lidhur me kontributin që Shqipëria do të japë për mbarëvajtjen e Kampionatit “Euro 2024”.
Ministri Balla falënderoi Qeverinë gjermane për mbështetjen e vazhdueshme edhe në kuadër të ndihmës për Policinë shqiptare dhe ju kërkoi drejtuesve të Policisë së Shtetit të marrin përgjegjësitë për angazhimet e përbashkëta edhe në kuadër të Kampionatit Evropian të Futbollit.
Ambasadori Bergner dhe ministri Balla konfirmuan se shtetasit shqiptarë janë tifozët e tretë në renditje, pas atyre gjermanë dhe anglezë, për numrin e biletave të blera gjatë 51 ndeshjeve të këtij turneu futbollistik.
Ministri Balla nuk nguroi t’i thotë ambasadorit gjerman se Gjermania duhet të ndihet me fat që nuk është në një grup me Shqipërinë.
Në përfundim të këtij takimi Ministri dhe Ambasadori gjerman panë nga afër edhe mjetet, pajisjet dhe veshjet speciale të dhuruara nga Qeveria gjermane për njësitin elitar RENEA, Forcën Kombëtare të Sigurisë dhe për Policinë kufitare.