22 vite diferencë, Modric dhe Yamal vendosën dy rekorde speciale në El Clasico
Real Madrid triumfoi në El Clasicon e parë të sezonit dhe këtë e bëri në mënyrën më spektakolare teksa mposhti në transfertë Barcelonën me shifrat 1-2.
E gjithë vëmendja edhe njëherë iu dedikua Jude Bellingham, njeriut të momentit te “Galaktikët”.
Britaniku shënoi një dygolësh për të zhvlerësuar golin e Gundogan dhe duke i dhuruar kështu tre pikët e radhës “Los Blancos”.
Megjithatë, El Clasico, përveç autorëve të golave që morën qendrën e vëmendjes pati edhe protagonistë të tjerë. Madje, nga ata që vendosën rekord. Fjala është për Luka Modric dhe Lamine Yamal.
Kroati u aktivizua në minutën e 63-të nga Carlo Ancelotti dhe në moshën 38 vjeç e 47 ditë, u shndërrua në lojtarin më të vjetër që luan një El Clasico.
Nga ana tjetër, krejt e kundërta ndodhi për Yamal. Sulmuesi, në moshën 16 vjeç e 106 ditë u shndërrua në lojtarin më të ri që aktivizohet në një El Clasico.
Mes dyshes ka plot 22 vite diferencë, por futbolli i bëri bashkë dhe e deshi që në një El Clasico të merrnin edhe ata një tjetër lloj të vëmendjes duke vendosur dy rekorde speciale. /SS