200 milionë euro gati, City gëzon Guardiolën, ja objektivat e merkatos
Pep Guardiola do të ketë në dispozicion 200 milionë euro për të shpenzuar në merkaton verore në kuadër të përforcimit të skuadrës së tij.
Drejtuesit e Manchester Cityt kanë vendosur t’i dhurojnë këtë shumë teknikut spanjoll për t’i “blinduar” edhe më shumë kampionët në fuqi të Anglisë, Europës dhe Botës.
Objektivi i parë është Lucas Paqueta i West Hamit, shërbimet e të cilit City i kërkoi edhe në fundin e verës së kaluar. Por marrëveshja mungoi.
Braziliani, i cili në Premier League ka shpërthyer duke u bërë ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit londinez, pëlqehet shumë nga Guardiola. Por jo vetëm ish-milanisti.
Në listën e trajnerit katalanas ndodhen edhe emra si Jamal Musiala (Bayern Munich) dhe Bruno Guimaraes (Newcastle).
Por edhe Joao Neves, 19-vjeçari i talentuar i portugezëve të Benfikës, i cili luan në rolin e mesfushorit përpara mbrojtjes.
Neves debutoi edhe me kombëtaren e Portugalisë gjatë tetorit të vitit të kaluar. Deri tani numëron pesë performanca me skuadrën luzitane.