2-shi i LDK-së, Kujtim Shala, falënderon shqiptarët në mërgatë që u regjistruan për të votuar: Bëhu ndryshimi!
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Akademiku Kujtim Shala i cili garon me numrin 2 në listën zgjedhore të LDK-së, ka shkruar se LDK-ja ka program të qartë ekonomik dhe zotohet se koeficienti i pagave do të jetë 150 euro, që do të thotë rritje mesatare e pagës për 200 euro, për të giithë shërbyesit e sektorit publik që në javën e parë të mandatit, si dhe zgjidhje të qëndrueshme, që i përgjegjen vështirësive dhe nevojave të përditshme të qytetarëve.
Shala ka thënë se qytetarët janë lodhur nga qeverisja e paaftë dhe ata po e thonë çdo ditë se duan ndryshim, e duan ndryshimin menjëherë. Këtë ndryshim, me mirëqenie, mundësi e paga të mjaftueshme për të gjithë, gjatë tërë vitit, sipas kandidatit për deputet, Kujtim Shalës do ta sjellë LDK-ja, nën drejtimin e kryeministrit të ardhshëm, Lumir Abdixhiku.
Shala ka shkruar edhe për projektet në infrastrukturë sportive dhe kulturore.
Përveç Stadiumit Kombëtar, në kryeqytet, si pjesë e Qendrës Kombëtare të Sportit, do të jenë dhe Pallati i Ri i Sportit, Pishina Olimpike dhe Gaming Hall për sportet elektronike. Në Kompleksin më të madh sportiv në rajon, do të jetë edhe Fakulteti i Sporteve.
Ky projekt është prezentuar tashmë dhe para investitorëve të mundshëm. Kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 60 milionë euro, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, Kujtim Shala, duke i bërë publike disa pjesë të programit qeverisës të LDK-së.
Shala ka bërë publike edhe katër projektet kryesore të LDK-së në fushën e kulturës:
- Teatri Kombëtar;
- Teatri i Operas dhe i Baletit;
- Muzeu i Artit Bashkëkohor;
- Muzeu i Paqes dhe i Rezistencës.
Numri 2 i LDK-së, në listën zgjedhore ka falënderuar diasporën të cilët janë regjistruar për të votuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“40000 mijë shqiptarë, nga të gjitha vendet në të cilat jetojnë, në Evropë dhe më gjerë, janë regjistruar për të votuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Shumë falemnderit!”, ka shkruar Shala në falënderimin e tij.
Bëhu ndryshimi!