150% më shumë aktivitete se në 2023-shin, Gonxhja: Kultura, zemra e zhvillimit ekonomik të vendit
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot të dhëna mbi impaktin e jashtëzakonshëm që ka kultura për komunitetet dhe tregjet lokale. Ministri e vendosi kulturën në zemër të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Me mbi 600 evente artistike në të gjithë vendin dhe 150% rritje krahasuar me vitin e kaluar, kemi sjellë superargëtim për mbi 500 000 spektatorë”, shkroi Blendi Gonxhja në rrjetet sociale. Ministri bëri të ditur se janë gjeneruar 5 mijë paga mujore vetëm nga financimet e projekteve artistike dhe kulturore gjatë këtij viti.
Koncertet, shfaqjet dhe ekspozitat, që kanë gjallëruar kulturën dhe ekonominë lokale, kanë hapur mundësi të reja për sipërmarrësit, të rinjtë dhe artizanët.
Një rol të rëndësishëm në impaktin e kulturës në ekonomi duket se ka pasur diversifikimi i axhendës kulturore përtej kryeqytetit, me 37,5% më shumë shtrirje gjeografike, krahasuar me periudhën maj-shtator 2023. /atsh/