
147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Begaj dhe Kurti: Nyje që lidh kombin
Në një ceremoni të veçantë është përkujtuar 147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj e vlerësuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si bazën për bashkim të shqiptarëve.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj date për kombin shqiptar, duke e konsideruar si themelin e lëvizjes për bashkim dhe pavarësi kombëtare
Begaj vuri në dukje se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një kombi dhe se ecin përpara së bashku në rrugën drejt integrimit evropian.
“10 qershor 1878 ishte, është dhe do të mbetet themeli politik dhe shpirtëror i bashkimit kombëtar. Është dita kur filloi lëvizja për pavarësia kombëtare. Shkëndija e kësaj dite ndezi pishtarin e lirisë, por trashëgimia e saj jeton sot në çdo përpjekje për zhvillim, mirëqenie, për bashkim shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve. Ishte një thirrje për bashkim, për mbrojtje dhe vetëdije kombëtare. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një Kombi – ata ecin përpara krah për krah në rrugën drejt integrimit evropian. Të jemi pjesë e Evropës së bashkuar është vazhdimi i aspiratës që shqiptarët shprehën në Lidhjen e Prizrenit”, tha ai.
Nga ana e tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo datë historike është një nyje që bashkon shqiptarët me njëri-tjetrin.
“Lidhjen Shqiptare e gjejmë autenticitetit politik, te Lidhja Shqiptare e Prizrenit gjejmë shpirtin kryengritës për mbrojtjen e trevave shqiptare”, tha Kurti.
Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane.
Lidhja e Prizrenit u themelua zyrtarisht më 10 Qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.
Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke dhe për këtë arsye shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare. /rtsh/