147-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, Begaj, thekson unitetin kombëtar

147-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, Begaj, thekson unitetin kombëtar

Me rastin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes së Prizrenit, simbolit historik të unitetit dhe përkatësisë kombëtare shqiptare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, zhvilluan një vizitë zyrtare në qytetin e Prizrenit.

Presidenti Begaj u prit me nderime të larta nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, si dhe nga qytetarët e pranishëm në këtë ngjarje përkujtimore. Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave me lule në monumentin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në prani edhe të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj ka theksuar rëndësinë e kësaj date historike për shqiptarët në të gjitha trojet dhe përkushtimin për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët mbi vlerat e bashkëpunimit dhe krenarisë kombëtare.

“Historia jonë është një, rrënjët tona janë të përbashkëta, dhe e ardhmja jonë ndërtohet mbi themelet e qëndrueshme të bashkëpunimit, krenarisë dhe përkushtimit kombëtar,” u shpreh Presidenti Begaj, raporton rtk.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në një postim zyrtar, në Facebook, e ka cilësuar Lidhjen e Prizrenit si shprehje të përkatësisë evropiane të kombit shqiptar dhe vlerësoi figurat historike që kontribuuan në realizimin e idealit të bashkimit kombëtar.

“Lavdi Lidhjes së Prizrenit! Nderime për ata që i dhanë jetë idealit të përbashkët shqiptar!”, thuhet në postimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.

Share This